Scholz: Të përshpejtohet procesi i normalizimit të tensioneve Kosovë- Serbi

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha të enjten se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet dhe se është koha që të marrin fund konfliktet rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Ai i bëri këto komente në hapje të takimit të Procesit të Berlinit, duke theksuar se Evropa mund të jetë e plotë vetëm me integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Kancelari Scholz tha se përkushtimet e sotme karakterizohen nga një ndjenjë urgjence për shkak se lufta Rusisë në Ukrainë e bën të domosdoshëm bashkimin për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës.

Është koha për të zgjidhur konfliktet rajonale që kanë zgjatur shumë dhe që ju ndajnë juve dhe pengojnë rrugën evropiane të vendeve tuaja. Procesi i normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në veçanti duhet të përshpejtohet, prandaj le ta përfundojmë këtë”, tha kancelari Scholz, i cili së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron ka hedhur një nismë për një marrëveshje ndërmjet të dyja palëve.

Nuk janë dhënë hollësi rreth nismës që mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara, por kjo çështje pritet të diskutohet gjatë ditës në margjinave takimit në Berlin ku po merr pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka dërguar në vend të tij kryeministren Ana Bërnabiç./VOA

Similar Articles

Comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Më të lexuarat