Kisha katolike thirrje qeverisë: Vendi po boshatiset, ndaloni shpopullimin

Në lidhje me emigrimin masiv të shqiptarëve dhe boshatishjen e këtij vendi kanë reaguar dhe institucionet fetare, të cilët kërkojnë reflektimin e menjëhershëm nga politika shqiptare dhe qeveria për të frenuar largimin e shqiptareve nga trojet e tyre duke krijuar kushte me të mira të jetesës.

Kërkesa e drejtpërdrejtë erdhi nga Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, Angelo Massafra, drejtuar ligjvënësve shqiptarë. Në mesazhin e tij, ai thekson se është përgjegjësia e politikës, që shqiptarët sot nuk e shohin të ardhmen në vendin e tyre.

“Ne Ipeshkvinjtë e Shqipërisë, të mbledhur në Asamblenë e zakonshme të Konferencës Ipeshkvnore, mbajtur në Tiranë më 25-26 tetor 2022, mes argumenteve më me interes që i përkasin Kishës Katolike dhe popullit tonë aq të dashur shqiptar, kemi trajtuar edhe problemin e dhimbshëm të shpopullimit që po i shkaktohet në mënyrë dramatike vendit tonë.

Duke vlerësuar situatën e rëndë në të cilën ndodhemi, kemi vendosur të mos heshtim, duke ngritur zërin tonë në mënyrë që të dëgjohet nga organet kompetente shtetërore dhe nga populli ynë. Kjo bëhet me qëllim që të gjejmë rrugë për t’i vendosur fre këtij fenomeni, i cili, në disa raste, shfaqet edhe në forma të paligjshme, forma pas të cilave fshihen edhe raste tragjike. Pas çdo personi apo familje që përpiqet të emigrojë, ekziston rreziku i trafikimit të qenieve njerëzore nga grupet e ndryshme të strukturuara kriminale dhe përdorimi i tyre për qëllime po kriminale jashtë vendit.

Situata është e qartë në sytë e të gjithëve. Këtë na e konfirmon puna baritore e motrave dhe meshtarëve, si edhe dëgjimi i besimtarëve tanë, të cilët në mënyrë dramatike na rrëfejnë se si familje të tëra preferojnë të emigrojnë prej frikës se nuk mund t’u garantojnë një të ardhme të sigurt fëmijëvë të tyre e se shumë prej tyre kanë humbur shpresën për të jetuar në Shqipëri. Në këtë mënyrë kemi një boshatisje totale të strukturave shkollore në zonat rurale (kjo d.m.th. një të ardhme pa të rinj) dhe mungesën e atyre që mund të quhen profesionet më të çmueshme për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë, siç është personeli shëndetësor, arsimor dhe profesione të ndryshme.

Me anë të këtij AKTI DENONCIMI i drejtohemi mbi të gjitha klasës politike të vendit në mënyrë që ky problem të trajtohet me përparësinë më të madhe. Duke parë një situatë të tillë dramatike, na vjen të pyesim: Vendi i lënë bosh nga shqiptarët që emigrojnë, kujt do t’i mbesë? Kujt jemi duke ia dorëzuar këtë tokë? Cili është projekti për të ardhmen e këtij vendi? E gjithë kjo pasuri që gjendet në këtë tokë, në duart e kujt do të jetë? Nëse jemi demokraci nuk duhet të kemi frikë t’u përgjigjemi me kurajo këtyre pyetjeve të drejta dhe legjitime të qytetarëve tanë.

Është më tepër se evidente nevoja e ndërmarrjes së politikave të drejta dhe koordinimi i të gjithë faktorëve shoqërorë të vendit, për një dialog i cili sjell zgjidhjet e duhura. Nga ana jonë si Kishë Katolike, shprehim gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë dialog si palë ndërmjetëse mes organizmave shtetëror. Po ashtu, jemi të gatshëm që të shpalosim sugjerime e projekte për këtë qëllim.

Në fund jemi të vetëdijshem që përgjegjësitë nuk janë vetem të atyre që udhëheqin vendin, nxisim të gjithë shqiptarët për një shqyrtim të thellë të ndergjegjes për të kuptuar që fatet e vendit tonë varen prej zemrës dhe mendjes së gjithësecilit.

Jemi të gjithë bashkëpërgjëgjës, secili sipas pjesës që i takon, në funksionimin pozitiv ose negativ të jetës sociale të Shqipërisë. Askush nuk mund t’i delegojë të ardhmen e vet një sistemi politik as iluzionit të një jete më të mirë diku tjetër.

Sot, ndërsa përkujtojmë 32 vjetorin e Meshës së parë dhe  në Vigjilien e festës së Martirëvë të Shqipërisë, propozojmë shembullin e tyre të dashurisë për atdheun si modelin për t’u ndjekur dhe imituar. Pikërisht dashuria ndaj Zotit dhe atdheut, që ishte vendi ku provania hyjnore i vendosi për të jetuar e vepruar, duke dhënë kontributin e tyre në bashkëpunim me veprën e Krijuesit, i shtyu ata të japin jetën e tyre.

Të gjithë atyre i besojmë ndërmjetësinë pranë Hyjit, bekimin e të cilit e thërrasim për këtë popull që duam me dashuri të sinqertë dhe të pakushtëzuar”, tha Imzot Angelo Massafra.

Teksa shprehin shqetësimin për situatën në vend, Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare thotë se largimi i detyruar i të rinjve, ka lënë të vetëm prindërit në Shqipëri, duke i shtuar edhe një tjetër plagë vendit.

Similar Articles

Comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Më të lexuarat