Tragjike/ Tetë të vdekur nga rënia e “Benz”-it anës lumit Vjosa në Këlcyrë

Të tjera detaje mësohen lidhur me tragjedinë e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin Këlcyrë-Përmet, ku humbën jetën 7 emigrantë të vendeve të treta dhe shoferi shqiptar.

Makina ishte marrë me qira nga një person, i identifikuar tashmë nga policia, dhe më pas i është dhënë shoferit që dyshohet se ishte nga Shkodra.

Policia ka shoqëruar në komisariat personin që ka marrë mjetin me qira, dhe po e merr në pyetje, ndërsa ende vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e viktimave.

Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë me të cilën shoferi shqiptar po udhëtonte, pasi kishte pikasur policinë dhe po tentonte që t’i shpëtonte.

Aksidenti tragjik, drejtori i Policisë së Gjirokastrës tregon ndjekjen e “çmendur” të “Benz”-it me 7 emigrantë

Drejtori i Policisë së Gjirokastrës Ardian Çipa në një deklaratë për median ka zbardhur ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në afërsi të Këlcyrës, ku mbetën të vdekur 7 emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe shoferi nga Shkodra.

Ardian Çipa: Rreth orës 2:20 të datës 2 në afërsi të Këlcyrës, patrulla këmbësore e stacionit të policisë në Këlcyrë, ka hasur një automjet i cili po vinte me një shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer menjëherë në drejtim të qyteti të Përmetit.

Patrulla e policisë e cila ishte në shërbim për kontrollin e territorit si dhe aksin “Përmet-Këlcyrë”, me automjetin e vet është përpjekur që të marrë në kontroll vizual automjetin deri në afërsi të vendit të ngjarjes.

Menjëherë kanë informuar sallën informative dhe ka transmetuar të gjithë informacionin për automjetin e dyshimtë, i cili ishte larguar me shpejtësi të madhe në drejtim të Përmetit. Rreth orës 4 pa pesë duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla menjëherë ka lëvizur në drejtim të Përmetit, ka marrë kontakte nga qytetarë të ndryshëm nëse kishin parë një automjet të tillë.

Duke qenë se nuk kanë marrë informacione, ka filluar inspektimi i të gjithë zonës dhe pikërisht në vendin ku ndodhemi, vendin ku ndodhi aksidenti, policia ka parë shenja të një aksidenti rrugor dhe më pas kanë mundur të lokalizojë automjetin që ka rënë në afërsi të lumit Vjosa.

Kanë zbritur poshtë dhe menjëherë kanë transmetuar informacionet shërbimeve, të cilat më pas kanë njoftuar prokurorin, grupin hetimor për të ardhur në vendngjarje dhe për të kryer veprimet e duhura proceduriale.  Paraprakisht dyshohet që drejtuesi i mjetit ka qenë një qytetar që jemi duke punuar, dyshohet se është nga qyteti i Shkodrës ndërsa personat e tjerë dyshohet se janë emigrantë të paligjshëm.

“Benz”-i “fluturoi” nga rruga për rreth 300 m/ Trupa të shpërndarë afër lumit Vjosa, në mjet ka viktima

Pamje të rënda janë siguruar nga vendi i aksidentit në aksin “Këlcyrë-Përmet”, ku mbetën të vdekur 8 persona, 7 emigrantë dhe shoferi nga Shkodra.

Në një foto shihen trupat e viktimave të shpërndarë afër lumit dhe mësohet se në automjet ka edhe viktima të tjera.

Në vendngjarje ndodhet Altin Qato, Drejtor i Rrugores dhe Ardian Çipa, Drejtor i Gjirokastrës, ndërkohë që po vazhdojnë ende hetimet.

Patrulla e policisë pikasi mjetin e dyshimtë afër Këlcyrës rreth orën 02:00, por drejtuesi i ‘Benz’-it refuzoi që të ndalonte për kontroll. Pas ndjekjes nga policia, duket se automjeti ka humbur gjurmët, ndërsa pas shumë kontrolleve u verifikua se ‘Benz’-i kishte përfunduar në shtratin e lumit Vjosë.

Sakaq, raportohet se mjeti ka qenë me shpejtësi tejet të lartë, me mbi 200 km/orë, duke bërë që drejtuesi i mjetit të humbiste kontrollin dhe të ‘fluturonte’ rreth 300 metër në vijë ajrore nga rruga drejt lumit.

Shpejtësia e lartë e mjetit konfirmohet edhe nga fakti se para momentit fatal ‘Benz’-i që drejtohej nga një person nga Shkodra, por ende i paidentifikuar, nuk është përplasur fare me bordurën metalike të rrugës, por ka përfunduar në shtratin e lumit.

Similar Articles

Comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Më të lexuarat