Euro po rimëkëmbet, arrin nivelin e lartë

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 117.97 lekë, ky është niveli më i lartë që prej datës 8 korrik të këtij viti.
Nga ekspertët e tregut valutor thuhet se faktori kryesor që po sjell forcimin e euros vazhdon të jetë blerja nga KESH, për nevoja të importeve të energjisë.


Burime nga tregu bëjnë të ditur se prej javës së kaluar KESH po blen euro në shuma të konsiderueshme, në intervalin mes pesë dhe shtatë milionë euro në ditë.

Pritet që blerjet e KESH në tregun valutor të vijojnë deri në fund të kësaj jave, ndaj ka të ngjarë që mbiçmimi i euros të vijojë edhe për disa ditë. Një faktor tjetër me ndikim ndoshta më të vogël, sipas agjentëve, mund të jetë edhe kërkesa për dollarë amerikanë nga importuesit e hidrokarbureve.

Për shkak të pritshmërive të krijuara për forcim të mëtejshëm të USD në kursin e këmbimit me lekun, importuesit tentojnë të krijojnë disa rezerva afatshkurtra valutore në monedhën e gjelbër, për të mbuluar blerjet e ardhshme të hidrokarbureve.

Për këtë arsye, edhe kërkesa për valuta të tjera përgjithësisht ndikon në forcimin e monedhës euro. Në rastet kur ka kërkesë, bankat këmbejnë EUR me USD për të siguruar sasinë e kërkuar të USD, që e shesin tek subjektet e interesuara.

Më pas, për të mbyllur pozicionet në monedhën e europiane, ato blejnë sërish EUR në tregun e brendshëm valutor, duke rritur kërkesën për monedhën europiane dhe duke ndikuar në forcimin e monedhës europiane.

Me përfundimin e blerjeve të KESH, gjasat janë që kursi Euro-Lek të stabilizohet, ndoshta me një korrektim në rënie. Ndërkohë, kursi i USD në ditët e fundit ka pësuar rënie të ndjeshme, duke zbritur sërish në vlera më të ulëta në raport me kursin e Euros.

Lëvizjet e kursit USD/LEK janë të lidhura kryesisht me kursin e saj USD/EUR në tregjet ndërkombëtare. Euro ka rifituar terren ndaj USD në ditët e fundit, kryesisht për shkak të pritshmërive për një shtrëngim të politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane (BQE).

Pritet që nesër BQE-ja të rrisë normën bazë të interesit me 0.75 pikë përqindje dhe zakonisht tregjet financiare ndërkombëtare lëvizin në bazë të pritshmërive. Për këtë arsye, forcimi i euros po i paraprin lëvizjes së pritshme të BQE. /Monitor

Similar Articles

Comments

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Më të lexuarat